Kurti takohet me politikanë gjermanë, bisedon për tema të ndryshme
Për situatën politike dhe gjendjen sociale në Kosovë, për raportet dhe dialogun me Serbinë, për nevojën për zhvillim ekonomik përmes investimeve që gjenerojnë vende pune në Kosovë si dhe për drejtësi gjyqësore, ka njoftuar Albin Kurti, se ka folur me politikanë gjermanë.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje është duke qëndruar për vizitë në Gjermani.
Njoftimi i plotë i Kurtit:
Në kuadër të vizitës sonë në Berlin sot në Reichstag takuam deputetin e CDU-së, z. Peter Weiß, pastaj deputetin e SPD-së në Parlamentin Evropian, z. Knut Flekenstein, Këshilltaren në SPD, znj. Kathrin Bosse-Steinweg, Drejtorin e Zyres Ndërkombëtare të CDU-së, z. Bertil Wenger, si dhe drejtues të instituteve të ndryshme në Berlin, si të Këshillit Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë (DGAP), të Aspen Institute e të Qendrës për Ndërmjetësim Integrues (CSSP).
Besniku, Mevlydja, Xhaviti dhe unë, biseduam hapur e qartë me miqtë gjermanë për marrëdhëniet bilaterale, për situatën politike dhe gjendjen sociale në Kosovë, për raportet dhe dialogun me Serbinë, për nevojën për zhvillim ekonomik përmes investimeve që gjenerojnë vende pune në Kosovë si dhe për drejtësi gjyqësore që ndal e spraps krimin dhe korrupsionin.
Na dëgjuan me vëmendje dhe shprehën interesimin për komunikim të vazhdueshëm e takime të mëtutjeshme me Lëvizjen VETËVENDOSJE!.























