Komisioni për Viktimat e Dhunës Seksuale zvarrit procesin
Nga muaji shkurt i vitit të kaluar, prej kur ka filluar punën Komisioni për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, rreth një mijë e 100 persona kanë aplikuar për këtë status. Por, më pak se gjysma kanë filluar të gëzojnë këto benificione. Pensionin si viktimë e dhunës seksuale, kanë arritur ta marrin rreth 400 persona, ndërsa rreth 130 prej tyre janë refuzuar.
Institucionet e Kosovës po punojnë shumë ngadalë për verifikimin e tyre, e aq më pak për të dënuar kryesit e veprës. Të paktën kështu thonë organizatat që trajtojnë këto raste.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti për KosovaPress thotë se procesi i njohjes ligjore të kësaj kategorie, është duke shkuar shumë ngadalë, për çka sipas saj, viktimat po përjetojnë ankth dhe tension të dyfishtë.
Për rastet që u është refuzuar kërkesa për statusin, thotë se vijnë kryesisht nga burime të tjera si rast, e jo përmes organizatave, pra mungesë e dëshmive të mjaftueshme.
Në raste të tilla, sfidë për viktimat është edhe ballafaqimi me Gjykatat.
Sipas, Rushitit procesi përmes këtyre të fundit po i demotivon edhe më shumë viktimat.
Ajo ka kërkuar që periudha e shqyrtimit të këtyre ankesave, të jetë në periudhë më së shumti gjashtë mujore, e jo siç është praktikë me vite të tëra.
Në të kundërtën, viktimat nuk do të kenë mundësi të aplikojnë për herë të dytë. Por, edhe paraqitja në gjykata, është një shqetësim në vete për organizatat dhe vetë viktimat.
Sipas Rushitit, formulari i përpiluar është po ashtu një traumë në vete për vet viktimën, sepse si i tillë, i kthen në kohë ato, duke kujtuar kështu vendin e krimit, personat prezent, e po ashtu tmerrin e përjetuar 20 vjet më parë.
Çështja e ankesave dhe paraqitjes në gjykata, është shqetësim edhe për Avokatin e Popullit, Hilmi Jasharin.
Mes tjerash, ai thotë se si institucion kanë pranuar edhe ankesat të tjera në vendimet që po merren nga komisioni.
Gjatë këtij procesi të njohjes ligjore të viktimave të dhunës seksuale, Jashari thotë se janë identifikuar edhe kryerësit e veprës, për çka thotë se i kanë rekomanduar komisionit që në mënyrë të menjëhershme t’ia përcjellë Prokurorisë së Shtetit dhe të ushtrojnë kallëzime penale.
Ankesa për punën e komisionit, ka edhe vetë e mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman.
Sipas saj, limiti prej pesë vitesh, sa është mandati i këtij komisioni, është i panevojshëm.
Anëtarja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Teuta Haxhiu vlerëson se këto vonesa, kanë të bëjnë me neglizhencën e komisionit.
Ajo i bën thirrje komisionit për verifikim që t’i drejtohen komisionit për barazi gjinore në mënyrë që të punojnë bashkarisht në plotësimin e nevojave të tyre, kërkesave të tyre, në mënyrë që të përshpejtohet shqyrtimi i rasteve.
Pavarësisht kësaj, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka vënë në dyshime se mund të manipulohet edhe në rastin e përfitimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
Minire Begaj - Balaj, që udhëheq komisionin për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, e kontaktuar për disa javë me radhë nga KosovaPress nuk ka qenw e qasshme.
Ndryshe, në luftën e fundit në Kosovë, besohet se janë dhunuar seksualisht rreth 20 mijë gra, vajza, burra e djemë të ri, e gjatë këtyre dy dekadave për tmerrin që kanë përjetuar kanë treguar vetëm dy mijë prej tyre. Ndërkaq, asnjë nga krimbërësit nuk është dënuar.























