E zbulon De Ligt: Ronaldo më kërkoi të transferohem te Juventusi
Mbrojtësi holandez ka treguar se për çfarë ka biseduar pas ndeshjes së mbrëmshme.
Cristiano Ronaldo duket se e dëshiron Matthijs De Ligtin te Juventusi. Kështu të paktën tregon futbollisti holandez, i cili u pa teksa bisedonte me portugezin, pas përfundimit të finales së Ligës së Kombeve, të dielën në mbrëmje.
De Ligt kërkohet nga klubet më të mëdha evropiane, ndër to edhe Juventusi.
“A më kërkoi Ronaldo të transferohem te Juve?Mund të jetë e vërtetë. Çfarë përgjigje i dhashë? Të them të drejtën fillimisht nuk e kuptova dhe pastaj, nuk thashë asgjë”, tregon De Ligt.
“Ishin momentet e para pas humbjes dhe isha i tronditur, prandaj qesha, por nuk thashë asgjë”. “Ndihesha keq pas finales së humbur, vetëm për këtë gjë po mendoja. Tani kam nevojë të pushoj, pasi kam pasur një sezon të gjatë”, theksoi ai.























