Challandes mendon pensionimin, reagon FFK-ja
Bernard Challandes është 67-vjeç. Por, qysh tani ka filluar ta mendojë pensionimin. Ai thotë se kualifikimi në “Euro 2020” me Kosovën është shansi i tij i fundit në karrierë. Por, në Federatën e Futbollit të Kosovës e vlerësojnë lartë strategun zviceran.
Në FFK as që po e mendojnë pensionimin e Challandesit, me të cilin planifikojnë vazhdim të kontratës kur skadon kontrata aktuale.
Bernard Challandes para se ta marrte drejtimin e Kombëtares së Kosovës pati qenë përzgjedhës i Kombëtares së Armenisë e po ashtu i pati drejtuar ekipet U17, U18 dhe U21 të Zvicrës dhe disa klube zvicerane. Mirëpo, aventura e tij me “Dardanët” tashmë është më e mira në karrierën e tij.
14 ndeshje pa humbje me Kosovën kanë bërë që strategu zviceran në “pleqëri” të bëhet mjaft i respektuar në arenën ndërkombëtare. Ndoshta më shumë sesa vet kosovarët Challandes dëshiron ta kualifikojë Kosovën në Kampionatin Evropian sepse kjo do të ishte diçka fantastike për të dhe se do ta mbyllte me një sukses fantastik karrierën e tij.
Nën drejtimin e Challandesit Kosova i ka çel dy rrugë drejt kualifikimit në Evropianë. Është e treta në grupin kualifikues me vetëm një pikë më pak sesa Anglia dhe Çekia që i zënë dy vendet e para. Kosova me pesë pikë po i rivalizon anglezët dhe çekët, kurse Bullgaria dhe Mali i Zi i kanë humbur gjasat. Edhe nëse nuk arrin përmes kualifikimeve të rregullta, Kosova do të provojë të shkojë në Evropian përmes Ligës së Kombeve. Ky opsion vjen si rezultat i fitores së Kosovës në Grupin A të Ligës D. Fituesi i kësaj lige do të shkojë në “Euro 2020”. Kosova në gjysmëfinale pritet të takohet me Maqedoninë, dhe në rast se fiton, atëherë do të luajë kundër fituesit të çiftit Bjellorusia – Gjeorgjia.Challandes asnjëherë në karrierën e tij nuk e ka parë vetën më afër një Evropiani sesa tani me Kosovën.
Ai dëshiron ta prek Evropianin dhe ta mbyll karrierën me një sukses të jashtëzakonshëm për të.
“Pastaj unë do të jem 70 vjeç, andaj pjesëmarrja në Kampionatin Evropian me Kosovën është shansi im i fundit”, citohet Challandes të ketë thënë nga “Ran.de”.
FFK-ja e vlerëson lartë strategun zviceran të cilin dëshiron ta shohë gjatë në krye të Kombëtares së Kosovës. Shtëpia e futbollit kosovar as që e mendon pensionimin e tij.
“Ne kemi kontratë katërvjeçare me Challandesin dhe natyrisht se planifikojmë ta vazhdojmë kontratën kur të vjen koha sepse jemi shumë të kënaqur. Challandes është një personalitet shumë i mirë, një profesionist i vërtetë dhe një punëtor shumë i madh. Një meritor për rezultatet tona. Prandaj ne e mendojmë vazhdimin e bashkëpunimit, me pëlqimin e tij”, deklaroi për Express sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.























