Veseli: Po e realizojmë ëndrrën e sportistëve për Stadiumin Kombëtar
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli ka uruar të gjithë sportistër për nisjen e realizimit të ëndrrës së gjithë qytetarëve, për ndërtimin e stadiumit kombëtar të futbollit.
Kreu i Kuvendit u falënderua nga të gjithë futbollistët e kombëtares për mbështetjen e vazhdueshme që u ka dhënë e po u jep atyre. Menjëherë pas prezantimit të projektit të stadiumit, Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se do të vazhdojë ta përkrah sportin dhe do të vazhdojnë investimet në terrene të mira sportive për rininë e Kosovës.
“Stadiumi Kombëtar i Kosovës nuk është më një ëndërr. Sot e prezantuam projektin e tij, e së shpejti fillojmë edhe ndërtimin. Ky projekt i jashtëzakonshëm, më i bukuri në Ballkan, tregon se shteti i Kosovës po ecë përpara, po ndërton të ardhmen. Kombëtarja e Kosovës, me suksesin e saj, me punën e jashtëzakonshme dhe ekipore, është shembull se bashkë realizojmë qëllimet tona. Përgëzoj ministrin Kujtim Gashi për përkushtimin e madh që ky projekt të jetësohet. E gëzofshim arenën e dardanëve!”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.
Stadiumi kombëtar i Kosovës pritet të nisë së ndërtuari në muajin gusht të këtij viti. Ai do t’i ketë 30 mijë ulëse dhe pritet të jetë stadiumi më i bukur në rajon.























