"Takimi me përfaqësuesit serbë në Berlin papërgjegjësi e ekipit kosovar"
Sa i përket takimit të përfolur mes delegacionit kosovar dhe serb në Berlin, analisti Blerim Burjani, duke e quajtur si papërgjegjësi nga pala kosovare, tha se takimi ka ndodhur në shpejtësi dhe se nuk ka patur koordinim.
Në magazinën informative "55 minuta" sonte u diskutua për zhvillimet politike që shënuan javën që po e lëmë pas. Mysafirët në studio analizuan ngjarjet e fundit , siç është takimi i përfolur i Berlinit, anulimi i datës 1 Korrik si datë e mundshme për takimit të përfaqësuesve të Kosovës me ata të Serbisë në Paris, dhe vendimi i kreut të PDK-së Kadri Veseli për shkarkime nga postet e larta të personave ndaj të cilëve ekziston aktakuzë e konfirmuar.
Të ftuarit në emision ishin analisti Blerim Burjani, Ehat Miftari nga IKD dhe Eugen Cakolli KDI.
Ndërkohë Ehat Miftari nga IKD tha se me rastin e këtij takimi nuk ka patur shkelje kushtetuese. Mes tjerash në debat u tha se është shumë e qartë se rruga e integrimeve evropiane për Kosovën dhe Serbinë duhet të kalojë përmes dialogut.
Gjithashtu analistët theksuan se Kosova duhet t'i kthehet politikës së brendshme dhe të mos marrë vendime që janë në kundëershtim me ligj.
E duke folur për shkarkimet e PDK-së , të ftuarit thanë se një trend i tillë duhet të ndodhë edhe te partitë e tjera politike.
Gjatë Magazinës “55 Minuta” u diskutua edhe protestat e shoqërisë civile të cilët shprehën pakënaqësi ndaj draft ligjit për financimin e partive politike dhe për tërheqjen e këtij dokumenti nga kryeministri.























