56 persona me sindromën doun do të ndjekin trajnime për aftësim profesional
BKT
Lajme

56 persona me sindromën doun do të ndjekin trajnime për aftësim profesional

RTKlive

56 persona me doun sindromë, nga shtatori do të mund të ndjekin trajnime të ndryshme 3 mujore në fushën e aftësimit profesional. Për këtë është arritur një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Shoqatës “Doun Syndrome Kosova”. Qëllimi i gjithë kësaj është aftësimi profesional dhe integrimi në shoqëri i të prekurve me sindromën doun. 

Aldi Hoxha, Linda Dibra e Arlind Beqiri, prej vitesh janë të angazhuar në kafenë X-21, në Prishtinë, ku u shërbejnë vizitorëve të këtij lokali. Të tre, janë të prekur nga sindroma doun, por kjo nuk paraqet ndonjë pengesë të madhe për ta, që përveç kafeve me shumë shije, të punojnë me përkushtim edhe në paketimin e “Xhemit x21” dhe “Mjaltit Amë”.

E, me qëllim të aftësimit dhe integrimit të personave me doun sindromë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Shoqata “Down Syndrome Kosova” kanë arritur një marrëveshje për trajnimin e 56 personave në qendrat e aftësimit profesional. Drin Haraçia, drejtor i Agjencisë së Punësimit, i tha Radio Kosovës se shpreson se këto trajnime do të rezultojnë të suksesshme.

“Ideja është që ne t’u japim mundësi këtyre personave që të inkuadrohen dhe të përgatiten për tregun e punës, në mënyrë që pasi të aftësohen, të jenë të gatshëm të punojnë në biznese a sektor të ndryshëm, bazuar në mundësitë dhe aftësitë që i kanë marrë”, tha ai.

Trajnimet tre mujore do të fillojnë në shtator dhe e gjitha kjo po bëhet për të aftësuar dhe vënë në pah shkathtësitë e personave me doun sindromë, i tha RTK radios Kosovare Bunjaku, menaxhere e projektit.

“Qëllimi i krejt këtij projekti është për të promovuar këta persona dhe për të treguar se edhe këta kanë aftësi dhe shkathtësi sikur se çdo person tjetër dhe të drejtë të barabartë në tregun e punës. Pasi që këto trajnime të bëhen, pjesëmarrësit do të certifikohen dhe më pas edhe do të drejtohen te bizneset, të cilat shpresoj t’i hapin dyert e tyre për t’i punësuar”, tha ajo.   

Dakordimi i arritur ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Shoqatës “Down Syndrome Kosova” është mirëpritur nga prindërit e të prekurve nga kjo sindromë, të cilët thonë se kjo është një mundësi e mirë për aftësimin dhe integrimin e fëmijëve të tyre.

Kuzhineria, rrobaqepësia, floktaria, ndërtimtaria, administrimi i biznesit, dhe IT-ja, janë disa  trajnimet që i ofrojnë Qendrat e Aftësimit Profesional, e të cilat bazuar në marrëveshje mund t’i ndjekin personat me Doun Sindrom, nga komuna e Ferizajt, Gjilanit, Gjakovës dhe Pejës.


MË SHUME NGA Lajme