10:51 / 26.06.2019
Hiqen ndalesat për zyrtarët serbë, Gjuriq dhe Sharçeviq vijnë në Kosovë
I ashtuquajturi Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe ministri i Arsimit serb, Mlladen Sharçeviq të premten pritet të vizitojnë Kosovën.
Gjuriqit dhe Sharçeviqit iu është aprovuar kërkesa nga ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës. Këtë e ka konfirmuar këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj.
“Kanë qenë kërkesa standarde jo të jashtëzakonshme. I kemi aprovuar të dyja dhe janë proceduar sipas rregullave dhe sipas marrëveshjes”, ka thënë Zyberaj.
Arsyeja e kësaj vizite, është festa e Vidovdanit e cila festohet më 28 qershor ku shumë qytetarë nga Serbia vijnë në veri dhe Gazimestan.























