Hoti: Më i mirë propozimi i Komisionit që drejtohet nga LDK se sa i Haxhiut

Hoti: Më i mirë propozimi i Komisionit që drejtohet nga LDK se sa i Haxhiut

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, konsideron që sa i takon sponzorizimit të sportit më i mirë është propozimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa që udhëhiqet nga LDK-ja se sa propozimi i deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.

Ai përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ka pritur në zyrë përfaqësues të sportit dhe kulturës për të biseduar për legjislacionin për sponsorizim.

Njoftimi i plotë: 

Sot kam pritur në zyrë përfaqësues të sportit dhe kulturës për të biseduar për legjislacionin për sponsorizim.

Ju sqarova në detaje dy versionet e sponsorizimti:

1. Verzioni që është propozuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, që udhëhiqet nga LDK-ja, e rrit potencialin për sponsorizim të sportit e kulturës deri në 300 mil euro brenda vitit. Në këtë verzion, sponsorizimi caktohet si përqindje e fitimit bruto. Shuma e sponsorizimt zbritet nga fitimi bruto dhe njihet si shpenzim nga ATK-ja. Kjo nënkupton se biznesi dhe shteti bashkërisht e mbështesin sportin dhe kulturën. Biznesi përfiton duke promovuar veten dhe duke ndihmuar sportin e kulturën. Se sa shfrytëzohet ky potencial, varet nga vullneti i bizneseve dhe insistimi/kërkesat e klubeve sportive për të siguruar sponsorizime.

2. Sipas verzionit që e ka propozuar deputeti i PDK-së, potenciali për sponsorizim të sportit është vetëm 30 mil euro brenda vitit. Kjo pasi sponsorizimi kufizohet në 30% të tatimit që biznesi i obligohet shtetit. Pra, biznesi e sponsorizon sportin vetëm me mjetet nga tatimi që i obligohet shtetit, dhe rrjedhimisht nuk është sponsorizim, por subvencionim i sportit nga shteti.

LDK-ja e mbështetë cilëndo zgjidhje, por verzioni i parë është në interesin më të mirë të zhvillimit të sportit dhe kulturës.
Çdo deklarim se LDK-ja është kundër sponsorizimit të sportit dhe kulturës është i pavërtetë dhe tendencioz.