Haradinaj: Duhet të jemi të pavarur në mendimet tona

Haradinaj: Duhet të jemi të pavarur në mendimet tona

Është bërë lansimi i Akademisë Politike të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që nga kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, u vlerësua të jetë një vlerë e shtuar, që nxit të rinjtë e vendit të jenë më të pavarur.

Gjatë lansimit të kësaj akademie, kryetari i AAK-së ka thënë se projekti i Akademisë Politike është një lloj lufte me të panjohurën, pasi që është ndryshe nga monizmi.

Ai porositi të pranishmit, gjegjësisht të rinjtë, që të guxojnë të krijojnë. Teksa tha se rehatia dhe siguria nuk qëndrojnë në gjetjen e një vendi të punës në institucionet publike.

“Brezi jonë ka guxuar me qenë krijues i lirisë. Sot ka plot gojë që flasin e komentojnë për përpjekjet deri në liri, çka ka qenë mirë e çka ka qenë keq, e ku di unë. Po imagjinojeni çfarë guximi ka qenë me guxu me e kriju lirinë. Brezi i parë i politikanëve, ai brez që kemi qëlluar pas lufte, kemi guxuar me e bë ushtrimin e plurarizmit, me dal në zgjedhje, me ndërtu institucione, me ecë përpara. Pra, edhe ju të rinjtë, edhe akademia politike, mendoj që është me rëndësi që të guxoni me kriju, e të mos pritni me qenë të varur nga askush. Këshilla ime e vetme është se ne jemi të pavarur si popull, si shtet, duhet të jemi të pavarur në mendimet tona, në mënyrën e të krijuarit dhe kësisoj të mburremi me atë që është krijuar, që ka qenë deri më sot. Ju inkurajoj të shkojmë kësaj rruge. Do të jem përkrahës, por kurrë nuk do të punoj ashtu që të gjithë ta marrin të gatshme, secili e secila le të kthehen në krijues, sepse ashtu do të jenë më të suksesshëm”, tha Haradinaj.

E konsulenti, i cili ka konceptuar edhe idenë e Akademisë Politike të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Colin Bloom, nuk i kurseu fjalët e mira në drejtim të Haradinajt. 

Ai theksoi se synojnë që të ngrisin aq lartë gjeneratat e reja, sa të kalojnë të arriturat e të gjithë të tjerëve, duke e fuqizuar jo vetëm AAK-në, por edhe gjithë Kosovën.

“Mendoj që falënderimin më të madh duhet t’ia bëj kryeministrit meqë pa angazhimin, mbështetjen dhe entuziazmin tuaj ky projekt nuk do të ishte i mundur. Angazhimi juaj për t’i parë të rinjtë në gjendjen më të mirë të mundshme, të inspiruar e të aftë për t’i shërbyer jetës publike është i pashembullt përgjatë Ballkanit. Mendoj që nuk ekziston ndonjë kryeministër tjetër që është duke treguar këtë nivel të punës, prandaj duhet të ju nderojmë për mbështetjen e pamasë që keni dhënë. Shpresa dhe plani ynë është që gjenerata e re e liderëve politikë që i krijojmë të tejkalojnë të arriturat e kryeministrit dhe të tjerëve. Ata jo vetëm që do ta forcojnë AAK-në, por do ta fuqizojnë edhe Kosovën, përsëri”, u shpreh ai.

Ndryshe, lansimi i Akademisë Politike të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është bërë në bashkëpunim me fondacionin “Western Balkans Democracy Initiative”./kp/