Sonte në RTK 1, Prishtina – St Joseph’s
Sonte në RTK 1 transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht ndeshja e rrethit parakualifikues në Ligën Evropës, ndërmjet Prishtinës dhe St Joseph’s, që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 20:45.
Përballë nënkampionëve të Kosovës do të jetë skuadra nënkampione e Gjibraltarit dhe në rast të fitores bardhekaltrit do të kalonin në rrethin e parë kualifikues ku i pret ballafaqimi me skuadrën e njohur skoceze, Glazgou Rangers.
Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa ka disa ditë që është përgatitur për këtë duel, por në ndeshjen e sotme ka disa mungesa të rëndësishme. Në fakt, dy prurjet e reja Ahmet Januzi dhe Tun Bardhoku nuk janë licencuar me kohë për këtë rreth parakualifikues, derisa për shkak të lëndimeve në dyshim janë Meriton Korenica dhe Basid Khalid.
RTK edhe sonte vjen me emision special para dhe pas kësaj ndeshje, prej orës 20:00, me analistët Jusuf Tortoshi e Ardian Llumnica, si dhe me deklaratat e protagonistëve pas ndeshjes.























