Kuvendi institucioni më serioz sa i përket menaxhimit të parasë publike
Kryeparlamentari Kadri Veseli ka deklaruar se “Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon të jetë institucioni më serioz sa i përket menaxhimit të parasë publike”.
Kështu ka shkruajtur Veseli në Facebook, pas takimit me Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani me ç’rast kanë diskutuar për gjetjet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.
Veseli njëkohësisht ka bërë thirrje për prokurorinë që të ndërmarrë veprime ndaj keqpërdoruesve të parasë publike.
“Unë besoj që transparenca dhe llogaridhënia nuk janë vetëm parime kushtetuese sa i përket shpenzimit të parasë publike, por janë detyrime ligjore që çdo institucion duhet t’i ndjekë në përpikëri. Shteti i Kosovës humb miliona euro si rezultat i korrupsionit, keq-menaxhimit dhe moszbatimit të drejtë të ligjit për menaxhimin e financave publike”.
“Këto para do mund të përdoreshin për mirëqenin e qytetarëve tanë, duke investuar në arsim, shëndetësi dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Zyra e Auditorit dhe Auditori i Përgjithshëm do ta ketë mbështetjen time për ruajtën e parasë publike dhe mirëqenies së qytetarëve. Ftoj Prokurorinë e Shtetit që t’i shikojë me vëmendje të gjeturat e raporteve të Zyrës së Auditorit për të gjitha institucionet dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme ndaj keqpërdoruesve të parasë publike. Lufta kundër korrupsionit është e pakompromis dhe ne do t’i shkojmë deri në fund” ka shkruar Veseli.























