Kosova do të bëhet me shtatë impiante për trajtimin e ujërave të zeza
BKT
Lajme

Kosova do të bëhet me shtatë impiante për trajtimin e ujërave të zeza

Drita Vitia, Radio Kosova

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka në plan ndërtimin e shtatë impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, që  do të realizohen edhe me ndihmën donatorëve. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Leutrim Sahiti, tha se shqetëson fakti që vetëm 4 për qind e ujërave të zeza në tërë territorin e Kosovës trajtohen, kurse pjesa tjetër derdhet në lumenj. 

Një ndër problemet e shumta mjedisore me të cilat ballafaqohet Kosova, është edhe trajtimi i ujërave të zeza. Me qëllim të zbutjes së këtij, problemi Ministria e Mjedisit ka planifikuar ndërtimin e shtatë impianteve në gjithë Kosovën. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Leutrim Sahiti, tha për Radio Kosovën se deri më tani është në fazën finale ndërtimi i impiantit në Prizren, në Gjakovë sapo ka filluar kurse në Pejë është në fazën e projektimit.

“MPMS marrë parasysh që e kemi një gjendje jo të mirë të trajtimit të ujërave të zeza, kjo për faktin se vetëm 4 për qind e ujërave të zeza trajtohen në Kosovë, ne së bashku me donatorët ndërkombëtarë jemi duke investuar në impiante për trajtimin e ujërave të zeza. Dhe është mjaft shqetësues fakti që deri më tani në shumë komuna ujërat e zeza derdhen në lumenj duke e dëmtuar kështu edhe florën dhe faunën, dhe në këtë aspekt, më lejoni t’ju informoj se investimet në këtë drejtim veç se janë në ndërtim e sipër dhe varësisht nga komunat, kemi edhe ndryshime sa i përket procedurave të ndërtimit”.

Sa i përket impiantit në Prishtinë, Sahiti tha se është në fazën e hartimit të termave të referencës.

“Faza e hartimit të termave të referencës nënkupton angazhimin e një eksperti i cili do t’i hartojë këto terma në mënyrë që të dihet saktë se si do të rrjedhë projekti dhe cilat janë kriteret dhe kushtet për ndërtimin e projektit dhe të cilat duhet t’i respektojë kompania e cila do ta ndërtojë këtë impiant.”

Por, sa i përket kostos financiare dhe kohës së ndërtimit të impiantit të Prishtinës, Sahiti nuk ka dhënë detaj, pasi, sipas tij, të gjitha detajet përcaktohen me projektin e termave të referencës.

Sahiti tha se MMPH është në negociata me donatorë për mbështetje financiare për ndërtimin edhe të impianteve në Komunën e Ferizajt, Gjilanit dhe Mitrovicës.

 


MË SHUME NGA Lajme