VIDEO-Ismaili :Të mbijetuarave të dhunës seksuale ua kemi borxh mbështetjen
BKT
Lajme

VIDEO-Ismaili :Të mbijetuarave të dhunës seksuale ua kemi borxh mbështetjen

Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Protestante Ungjillore dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës do të nënshkruajnë sot një deklaratë në mbështetje të të dhunuarve gjatë luftës së fundit në Kosovë.Këtë deklaratë prijësit fetarë të këtyre bashkësive fetare do ta bëjnë pas seancës së parë të konferencës “Të gjithë së bashku me një zë” që mbahet sot e që është organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Besa Ismaili, profesoreshë në Fakultetin e Studimeve Islame dhe bashkë-organizatore e konferencës tha se të mbijetuarave të dhunës seksuale në Kosovë ua u kem i borxh mbështetjen dhe se kemi obligim për të mos qenë pjesë e agjendave të cilat i kanë paraparë veprimet e stigmes dhe të riviktimizimit të këtyre personave .

“Ky është një obligim  të cilin e kemi të gjithë  për të qenë në anën e atij  të cilit i është bërë një padrejtësi, i është bërë një dhunë pa zgjedhje dhe pa miratim. Ne jemi me këto gra , me këta burra, me këta fëmijë  sepse ata janë ne “, tha ajo sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

 Ismaili tha se konferenca që është organizim i myftiut dhe Bashkësisë Islame të Kosovës synon që të koordinojë veprimet e veta me të gjitha institucionet. “ Duhet të ketë një mobilizim gjithëkombëtar për këtë çështje”, tha ajo.

Sipas Ismailit, Kosova po i bashkohet lëvizjes ndërkombëtare për të çrrënjosur abuzimet seksuale gjatë konfliktit si mjet lufte dhe se veçantia e kësaj konference është se të gjitha komunitetet fetare në Kosovë do të dalin me një deklaratë në mbështetje të të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe kundër riviktimizimit  të mëtutjeshëm.

Në konferencë do të flasin Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish- presidentja, Atifete Jahjaga, prijësit e bashkësive fetare (Kishës Katolike, Kishës Protestante Ungjillore dhe Bashkësisë Hebarike), përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, Shefja e BE- Nataliya Apasatolova, shefi i misionit të OSBE-së Jan Braathu, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Ruairi O’Connell, ambasadorja e jonë në Uashington, Vlora Çitaku,  si dhe referues e njohës të çështje nga institucionet vendore e ndërkombëtare.


MË SHUME NGA Lajme