Tërnava: Viktimat e dhunës seksuale s’kanë përgjegjësi faji
Në Prishtinë po mbahet konferenca “Të gjithë së bashku me një zë” në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se trajtimi i të mbijetuarve të dhunës seksuale është një sfidë me të cilën Kosova ende vazhdon të përballet.
Sipas Tërnavës, krimet e kryera gjatë luftës ndaj popullatës civile duhet të kategorizohen në krime të luftës derisa keqbërësit duhet ta marrin dënimin e merituar.
Tërnava bëri me dije se të gjithë ata ose ato që pësuan gjatë luftës janë të falur. Ai citoi edhe pjesë të Kur’anit ku sipas tij tregohet falja e tyre, njofton Klan Kosova.
I pari i BIK-ut tha se ata/ato që janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk kanë përgjegjësi faji dhe janë vetëm viktima, si çdo viktimë tjetër e luftës.
Tërnava kërkoi integrim të kësaj kategorie në shoqëri. Kryetari i BIK-ut shprehu mbështetjen e tij edhe për organizatat që janë marrë me trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Në këtë konferencë që është organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës i pranishëm është edhe presidenti Hashim Thaçi, përfaqësues të tjerë të të gjitha komuniteteve fetare në Kosovë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.























