Asani e vizitoi Komitetin Amerikano-Hebraik në Nju Jork
Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Skender Asani, e vizitoi edhe Komitetin Amerikano-Hebraik në Nju-Jork, ku u prit nga drejtori i Marrëdhënieve Ndëreligjioze dhe Ndërgrupore, Rabbi Noam E.
Arsyeja e këtij takimi miqësor ishte këmbimi i përvojave të komunikimit ndëreligjioz në shoqëritë shumëreligjioze, si dhe shqyrtimi i mundësive që një përvojë e tillë të bartet edhe në mjedisin shumëfetar dhe shumetnik të Maqedonisë së Veriut.
Nikoqirët e falënderuan Dr. Asanin për vizitën dhe u shprehën të gatshëm të ndihmojnë me përvojën dhe kapacitetet e tyre për të ndërtuar edhe në Maqedoninë e Veriut një frymë të këtillë të bashkëpunimit dhe komunikimit mes komuniteteve të ndryshme.
Dr. Asani, nga ana e tij, i falënderoi nikoqirët për mikpritjen dhe theksoi se, duke e pasur të përbrendësuar edhe shpirtëroren në emrin e tij, Instituti po bëhet një qendër e rëndësishme, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, që e ndihmon komunikimin dhe bashkëpunimin mes komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare.
Ai u zotua se kjo frymë do të vazhdojë dhe se Instituti mbetet i hapur për të bashkëpunuar edhen të ardhmen me të gjitha institucionet dhe organizatat që veprojnë në këtë fushë.























