Ahmeti përjashton rrëzimin e Qeverisë me ndihmën e Listës Serbe
BKT
Lajme

Ahmeti përjashton rrëzimin e Qeverisë me ndihmën e Listës Serbe

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka deklaruar sot se nuk i kanë votat për rrëzimin e Qeverisë, teksa ka bërë të ditur se nuk janë të interesuar që këtë ta bëjnë me ndihmën e Listës Serbe.

Këto komente Ahmeti i bëri në një konferencë për media, pas takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj, ku edhe nënshkruan memorandum bashkëpunimi për projektin ‘Prishtina e Re’.

Ashtu sikurse që roli i kryeministrit është mbrojtja e Kosovës, Ahmeti tha se roli i tij si kryetar i Prishtinës është mbrojtja e interesave të qytetarëve. Për këtë, ai tha se edhe sikur të kishin nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë, nënshkrimi i memorandumit të sotëm do të ndodhte pa asnjë mëdyshje.

I pari i Prishtinës ka bërë të ditur se PSD është tërhequr tërësisht nga dialogu me Serbinë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

E përkundër këtij vendimi, Ahmeti tha se është i domosdoshëm unifikimi i spektrit politik për çështjen e dialogut me Serbinë.

E për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit për Prishtinën e re, i pari i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, u shpreh se kjo është një ndër ngjarjet më të mëdha në historinë e re të Kosovës, pas ligji për kryeqytetin.

Ndryshe, projekti i zgjerimit të kryeqytetit “Prishtina e re” është paraparë të ndërtohet në Hajvali, ku aty do të vendoset pjesa administrative e Qeverisë së Kosovës.

Atje pritet të zhvendoset Presidenca, Qeveria, një qendër administrative komunale si dhe të përcillet me banim.


MË SHUME NGA Lajme