Mustafa: Kosova ka arritur progres në fushën e kontrollit të armëve
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Ekrem Mustafa po merr pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet në Poznan të Polonisë ku pjesëmarrëse janë shtetet e Procesit të Berlinit.
Në sesionin e parë, ministrat e Brendshëm diskutuan mbi lidhjen mes migrimit të paligjshëm dhe aktiviteteve të krimit të organizuar. Ministri Mustafa potencoi se Republika e Kosovës ka mjaft të konsoliduar legjislacionin në këtë drejtim.
“Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës dhe agjencitë që veprojnë nën autoritetin e saj, mbeten të përkushtuar ne vazhdimësi në luftën ndaj të gjitha llojeve të krimit të organizuar, duke dhënë kontributin e sajë edhe në luftimin e krimit trans-kufitar”, tha Mustafa.
Siç njofton MPB, në sesionin e dytë, i cili iu kushtua iniciativës frango-gjermane për zvogëlimin e numrit të armëve të lehta dhe të mesme në Ballkanin Perëndimor, ministri Mustafa vuri re se Kosova gjatë viteve të fundit ka arritur progres në fushën e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta, ndërsa që nga viti 2008 është duke u implementuar strategjia dhe plani i veprimit për Armët e Vogla dhe të Lehta, e cila është ne përputhje me Udhërrëfyesin Rajonal dhe në frymë me obligimet e përbashkëta rajonale dhe ndërkombëtare.
Duke folur për luftimin e korrupsionit, për të cilin u bë fjalë në sesionin e tretë të takimit të Ministrave të MPB-së, Ministri Mustafa përmendi faktin se Qeveria e Kosovës ka miratuar “Strategjinë e re Kundër Korrupsionit dhe Plani i veprimit 2018-2022”.
Ministri Mustafa u shpreh se mos anëtarësimi i Kosovës në të gjitha mekanizmat e sigurisë, po paraqet jo rrallë vështirësi për autoritetet e sigurisë në Kosovë. Mustafa u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve prezent që Kosovës t’i hapen dyert e anëtarësimit në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë.
Në këtë samit morën pjesë ministrat e brendshëm të rajonit së bashku me përfaqësues nga Polonia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Sllovenia, Kroacia dhe Bullgaria.























