Limaj: Koha që kandidati i Nismës t’i fitojë zgjedhjet në Lipjan
BKT
Lajme

Limaj: Koha që kandidati i Nismës t’i fitojë zgjedhjet në Lipjan

Nisma Socialdemokrate ka shënuar pesë vjetorin e themelit të degës në Lipjan. Në ceremoninë e shënimit të kësaj dite u zyrtarizua edhe aderimi i mbi 60 të rinjve në këtë subjekt.

Aty ishte edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i cili u kërkoi bashkëpartiakëve që të punojnë drejt fuqizimit të Nismës Socialdemokrate.

Fatmir Limaj, i cili mban postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, tha në Lipjan se partia që ai drejton është faktor politik vendimtar në shumë procese të rëndësishme në vend.

“Ne sot jemi këtu për këtë 5 vjetor, për të kërkuar nga ju që koha është që ju djem e vajza të reja, ju burra e gra, në kohën që na ka mbetur të kalojmë në një fazë tjetër të veprimit e angazhimit të fuqizimit të Nismës. Është koha që kandidati i Nismës t’i fitojë zgjedhjet në Lipjan”, tha Limaj.

Ai tha se kanë arritur ta bëjnë për pesë vjet atë që të tjerët nuk kanë mundur ta bëjnë me vite,  të afrojnë skenën politike në Kosovë.

“Sot Nisma Socialdemokrate identifikohet si subjekt politik që promovon vlerat njerëzore si subjekt politik, i cili mbron vlerat kombëtare, Nisma Socialdemokrate sot është parti e veprimit, parti e solidaritetit, e bashkëpunimit, parti e unitetit, parti e arsyes, parti e cila i ka vënë interesat e veta të ngushta në interes të atdheut, Kosovës”, tha ai.

E kryetari i degës së Nismës në Lipjan, Heset Sahiti tha që kjo parti tash është bërë adresë shprese për qytetarët e Lipjanit.

“Pas pesë vitesh nga themelimi, ky projekt po merr mbështetje të vazhdueshme në Lipjan, çdo ditë e më shumë po rritemi me aderime të reja të njëpasnjëshme falë punës dhe besimit që kemi krijuar, po bëhemi adresë shprese e qytetarëve”, tha ai.

Në këtë shënim të përvjetorit të themelimit të degës në Lipjan, mbi 60 të rinj iu bashkuan kësaj partie


MË SHUME NGA Lajme