Universiteti veror imazhi pozitiv në arenën ndërkombëtare
RTKlive
Janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili sivjet përmban 17 kurse nga të gjitha fushat studimore dhe fillon sot më 8 korrik. Për një program janë pranuar 25 studentë.
Dashamir Bërxulli, prorektor për bashkëpunim ndërkombëtare i UP "Hasan Prishtina", tha se ky universitet veror sjellë shumë risi dhe e afron UP me të tjerët.
“Këtë vit do të ketë shumë pjesëmarrës nga vende të ndryshme, si dhe pjesëmarrës nga Kosova”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Sipas tij Universitetin veror ndërkombëtar i Prishtinës është ngjarje shumë e madhe jo vetëm për UP-në, por edhe për arsimin kosovar në përgjithësi.
Sa i përket profesorëve ndërkombëtarë të cilët marrin pjesë këtë herë, do të ketë profesorë nga SHBA-ja, Gjermania, Japonia, India, Pakistani.
Universiteti Veror Ndërkombëtar mbahet nga 8 deri më 19 korrik, derisa përveç kurseve gjatë kësaj kohe organizohen edhe dy ekskursione në vende të ndryshme të Kosovës, koncerte, shfaqje e vizita.
Studentët vendorë pjesëmarrjen në UVP e kanë falas, kurse ata ndërkombëtarë paguajnë 100 euro për akomodim, ushqim dhe ndjekje të kursit.























