Fazliu: Do të futemi në ndeshje për të fituar
BKT
Sport

Fazliu: Do të futemi në ndeshje për të fituar

Feronikeli e zhvillon sonte ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës The New Saints në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:45.

Optimizmi i skuadrës nga Drenasi për ta kaluar xhiron e parë në Ligën e Kampionëve është shumë i madh.

Krejt kjo vjen për faktin se skuadra ka arritur që të barazojë në ndeshjen e parë të zhvilluar në Uells, me rezultat 2:2.

Aventura e Feronikelit në Ligën e Kampionëve vazhdon sonte.

Kampionët në fuqi të Kosovës do të përballen me skuadrën uellsiane The New Saints në kuadër të xhiros së parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja e parë e zhvilluar një javë më parë në Uells dhuroi dramë të vërtetë, duke u mbyllur me rezultat 2:2.

Sfida do të zhvillohet nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërkohë që interesimi i opinionit kosovar për këtë duel është i madh.

Skuadra e cila e kalon këtë fazë do të përballet me ekipin Copenhagen në xhiron e dytë, ndërkohë që ekipi që eliminohet do ta vazhdojë ëndrrën evropiane në Ligën e Evropës, derisa do të përballet me fituesin e duelit Slovan Bratislava – Sutjeska.

Astrit Fazliu ishte “trim” i ndeshjes së parë të zhvilluar në Uells.

Ai e realizoi golin e barazimit nga penalltia në minutat e fundit të kohës shtesë.

Sulmuesi kosovar asistoi edhe në golin e parë të realizuar nga Mevlan Zeka.

Fazliu ndeshjen e “Fadil Vokrrit” e vlerëson si shumë të vështirë. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse TNS-ja është një ekip i mirë dhe duhet të kemi shumë kujdes. Duhet që ta marrin ndeshjen shumë seriozisht”, ka thënë për “Zërin” Astrit Fazliu.

“Sigurisht që ne do të futemi në ndeshje për të fituar, sepse duke e kërkuar fitoren besoj se do ta arrijmë kualifikimin. Përparësi e skuadrës sonë është rezultati i ndeshjes së parë, i arritur në Uells. Nuk duhet harruar se edhe kundërshtari është ekip i përgatitur shumë mirë. Ata për shumë vite janë shpallur kampionë në Uells dhe kanë përvojë të madhe në garat ndërkombëtare. Gjithsesi, me seriozitet në lojë besoj se do të kalojmë në turin tjetër”, deklaroi ndër të tjera Astrit Fazliu.