Premi të majme për futbollistët e Feronikelit në rast kualifikimi tutje
BKT
Sport

Premi të majme për futbollistët e Feronikelit në rast kualifikimi tutje

Feronikeli është 90 minuta larg për ta shkruar historinë në Ligën e Kampionëve.

Kampioni i Kosovës në futboll do ta zhvillojë sonte ndeshjen e kthimit në kuadër të rrethit të parë eliminator në garën më të madhe për klube në Evropë përballë The New Saints.

Ndeshja e parë në Uells u mbyll me rezultat 2:2, ndërkaq me një fitore apo edhe barazim pa gola, djelmoshat e Zekirija Ramadanit kalojnë në rrethin tjetër.

Përveç se do ta shkruanin historinë duke arritur në fazën që asnjë klub kosovarë nuk e ka arritur deri më tani, futbollistët e Feronikelit do të pasuroheshin edhe më shumë në rast të kualifikimit.

Kapiteni i Feronikelit, Lapidar Lladrovci ka zbuluar shumën e premive për çdo rreth që ai dhe bashkëlojtarët e tij do ta arkëtonin nëse i ndihmojnë “Niklit” ta kalojë në rrugë drejt sigurimit të pjesëmarrjes në garën më prestigjioze evropiane për klube.

“Presidenti Naser Ramaj na ka premtuar 25 për qind të shumës së fituar nga klubi në Ligën e Kampionëve, por ne nuk e kemi përqendrimin këtu”, zbuloi Lladrovci.

Feronikeli do të arkëtojë 280 mijë euro nga UEFA nëse kalon në rrethin e dytë eliminator.

Kjo nënkupton se 70 mijë prej tyre do t’iu takonin futbollistëve, bazuar në premtimin e dhënë nga presidenti i Feronikelit.

Kjo i bie që lojtarët do të përfitonin nga 2500-4000 euro secili.