Së shpejti në RTK shfaqet dokumentari për të mbijetuarin e Holokaustit
RTKlive
Shumë shpejt në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), do të shfaqet dokumentari i cili është realizuar duke u bazuar në rrëfimin e Avram Bivas-it, me origjinë nga Kosova, i cili mbi shtatë dekada më parë i ka mbijetuar Holokaustit. Avram Bivas është 86-vjeçar dhe jeton në Izrael.
Ridvan Berisha, kryeredaktor në RTK, njëherit autor i dokumentarit, ka deklaruar se ky dokumentar është i rëndësi, pasi që të mbijetuarit e Holokaustit dita-ditës po pakësohen. Ai ka falënderuar aktivistin e komunitetit hebre në Kosovë Flori Zevi, i cili po kontribuon shumë që të thellohen marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
“Ne ishim në Izrael dhe kemi bërë intervistën me Avram Bivas me origjinë nga Kosova dhe ai e quan veten prishtinasi. Ai pati një rrëfim tepër impresiv, rrëfimi i tij për të kthyer në dokumentar është një mundësi e mirë për të njohur kontributin e kombit shqiptar që ka dhënë për kombin hebre”, deklaroi ai sot në emisionin e mëngjesit `Mirëmëngjesi Kosovë`, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Kurse aktivisti i komunitetit hebre në Kosovë, Flori Zevi, ka bërë me dije se ideja ka lindur nga hulumtimet që i ka bërë në Kroaci. “Unë kur jam vendosur në Prishtinë, kam pasur synim të hulumtoj rastet dhe tragjedinë që ka ndodhur në Luftën e Dytë Botërore. Kosova është përdorur si vend transit. Disa kanë mbijetuar e disa jo”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit `Mirëmëngjesi Kosovë`, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Zevi bëri me dije se sot në Izrael në kurrikulat shkollore e kanë përshkruar trimërinë e shqiptarëve. “Sot në Izrael thuhet se kur Evropa nuk ka mbrojtur hebrenjtë, shqiptarët i kanë mbrojtur ata”, tha ai. Aktivisti i komunitetit hebre në Kosovë, Flori Zevi, vlerësoi se qasja e Izraelit ndaj Kosovës, ka ndryshuar. “Së shpejti mund të hapet edhe Zyra Ekonomike e Kosovës, në Izrael. Kjo zyrë mund të hapet në pranverë të vitit të ardhshëm, kjo është një iniciativë e ndërmarrë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi”, tha ai.
Sipas tij Avram Bivas, në kohën e Holokaustit, ka qenë 11 vjeçar. “Ky dokumentar po realizohet me ndihmën e RTK-së dhe kjo është me rëndësi të madhe për historinë”, tha ai.
Ndryshe në realizimin e dokumentarit ka dhënë kontribut edhe kameramani Bujar Berisha.























