AAK-ja bëhet gati për zgjedhje
RTKlive
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka deklaruar se AAK’ja është “gati për zgjedhje”.
Deklarata e tij vjen pasi kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, dha të premten dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës.
Gjini, kryetar i Gjakovës, ka thënë se AAK’ja në këtë komunë është “mobilizuar”.
“Përtej sfidave dhe vështirësive Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Gjakovë është mobilizuar, duke e ftuar sovranin që t’ia rikthejë të drejtën e mohuar për të punuar në të mirë të Republikës së Kosovës. Me Kryeministrin tonë!”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook, në internet.
Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR.
Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.























