Takohen Haziri dhe Molliqaj, bisedojnë për situatën politike
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri dhe Sekretari i Partisë Socialdemokrate Dardan Molliqaj, sot kanë zhvilluar një takim.
Haziri tha për KosovaPress se në këtë takim të rastësishëm, siç e quajti ai, nuk kanë biseduar për ndonjë koalicion të mundshëm LDK-PSD.
“Takim rasti o vëlla, sen s’ka pas”, tha fillimisht ai.
Në një bisedë telefonike, ai u shpreh se i duket e pakuptimtë që po pyetet për një takim të rastësishëm, duke thënë se njëherë janë njerëz e më pas politikanë.
“Po çfarë diskutimi o vëlla. Po na jena njerëz mas pari, tani jemi politikan. Shihen njerëzit në rrugë flasin”, tha Haziri.
Ai u pyet nga KosovaPress edhe për takimin e djeshëm të kryetarit të Podujevës Agim Veliu me kryetarin e degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtakun, për çka tha se nuk ka çfarë të diskutohet.
“Agimi e ka thënë edhe vet që nuk është taku. Nuk e di pse duhet me diskutu kur Agimi ka thënë vet që s’u taku”, tha ai.
Takimin e Hazirit me Molliqajn e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, e cila nëpërmjet telefonit i ka thënë Klanit se ky takim ka qenë i rastësishëm.
“Ky takim ka qenë i rastësishëm. Ata kanë biseduar për situatën e përgjithshme politike.”
Ajo shtoi se në këtë takim mes Hazirit dhe Molliqajt nuk është diskutuar për koalicion parazgjedhor mes LDK-së dhe PSD-së.
Takimi mes tyre vjen pas dorëheqjës së Ramush Haradinajt, nga posti i kryeministrit.























