Limaj kundërshton formimin e një Qeverie teknike
Zëvendëskryeministri në largim, njëherësh kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, deklaron se vendi duhet të shkojë në zgjedhje pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai përjashton çdo mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kundërshton edhe krijimin e një qeverie teknike.
Limaj në një intervistë për KosovaPress thotë se pas dorëheqjes së kryeministrit vendi është në prag të zgjedhjeve.
Partia që ai e udhëheq thotë se nuk do të bëhet pjesë e asnjë qeverie teknike, derisa potencon se vendit i duhet një qeveri e fortë dhe që është e gatshme të ballafaqohet me tema të rëndësishme.
Kreu i Nismës Socialdemokrate thotë se partia që e udhëheq është e gatshme të shkojë në zgjedhje.
Sa i përket ftesave të Gjykatës Speciale, Limaj thotë se ajo është krijuar për ushtarët e UÇK-së dhe askush nuk duhet të befasohet me ftesa të tilla.
Kujtojmë se kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të premten e javës së kaluar pas ftesës që kishte marrë për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale si i dyshuar.























