Sejdiu: Jam i gatshëm ta marr përgjegjësinë e liderit të LDK-së
BKT
Lajme

Sejdiu: Jam i gatshëm ta marr përgjegjësinë e liderit të LDK-së

Ish-presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, i ka renditur tri arsye pse ka vendosur t’i hyjë garës për Kryetar të LDK’së. Ka thënë se Lidhja Demokratike s’duhet të sillet më në mënyrë inerte përballë zhvillimeve politike. Ka thënë se LDK-së i duhet një ristrukturim i mirëfilltë i vetvetes. Ka thënë se pastaj partia duhet ta japë një ofertë programore.

Sejdiu ka thënë se është i gatshëm ta marrë udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por ka thënë se gjithçka do të zyrtarizohet në Kuvend.

“Siç kam thënë disa herë, unë e kam shprehur gatishmërinë time që ta marr përgjegjësinë e udhëheqjes së LDK-së. Konsideroj se e njoh në thellësi dhe shumë mirë gjithë zhvillimin dhe dellin e veprimtarisë së saj reale tash e tridhjetë vjet, që duhet të vihet në funksion të zhvillimit dhe të perspektives së mëtejme të LDK-së dhe të Kosovës. Nuk kam kursyer gjithë qenien time për realizimin e projektit të LDK-së për lirinë e vendit dhe ndërtimin e Kosovës së pavarur e sovrane si shtet i demokracisë moderne. Deri në ditën e mbajtjes së Kuvendit unë do të analizoj të gjitha rrethanat lidhur me kandidaturën time. Ato, siç edhe është rregulli, paraqiten në Kuvend. Të shohim”, ka theksuar Sejdiu për Express.

Tutje Sejdiu ka folur edhe për atë se përse duhet të jetë sërish kryetar i LDK-së. “Janë shumë faktorë që kam parasysh dhe që nxisin për shprehje të gatishmërisë.  Së pari, siç e kam thënë disa herë, gjendja në LDK  karshi situatës së përgjithshme në të cilën gjendet vendi e që është jashtëzakonisht sfiduese, është jo krejt adapte, posaçërisht duke ditur mundësitë reale që ajo i ka. LDK tash e disa vite jo rrallë është sjellë në mënyrë inerte dhe jashtë interesimit që të jetë promotore e zhvillimeve kualitative, pavarësisht nëse ka qenë pozitë, apo opozitë. Vlerësoj se qasjet e tilla nuk janë të dobishme për LDK-në dhe për vendin. Është koha që të ndërrohen këto praktika dhe me një lidership të guximshëm të zhvillohen politika të daljes nga situata në të cilën gjendet vendi. LDK-ja nuk mund të sillet se nuk po ndodhë asgjë në vendin tonë, i cili fatkeqësisht po përjeton një kohë shumë të vështirë. Më e vështira pas nëtëdhjetëenëntëshit. Këtu veçanërisht duhet të kihen parasysh edhe marrëdhëniet me miqtë e përhershëm të saj, vendet që i kemi pasur krah nesh si popull në kohët e liga që  kemi përjetuar”, ka nënvizuar Sejdiu.


MË SHUME NGA Lajme