Latifi: Kapitalizmi brutal dhe politika e korruptuar po e zbrazin vendin
Këshilltari i kryeparlamentarit të Kuvendit, Blerim Latifi, ka bërë një shkrim në rrjetin social Facebook ku është treguar shumë kritik ndaj kapitalizmit brutal.
Latifi ka shkruar për problemin që po kanë shumë sipërmarrës në Kosovë, duke thënë se ata nuk po gjejnë puntorë për shërbimet që ofrojnë bizneset e tyre, ndërsa në të njejtën kohë në Kosovë është papunësi e madhe.
Për këtë, sipas tij, shumë të rinjë po largohen nga Kosova drejt vendeve perëndimore duke kërkuar një jetë më të mirë dhe kushte më të mira për punë.
Për këtë këshilltari i Kadri Veselit i lë faj politikave ekonomike të qeverisjes.
“Ky kapitalizëm brutal, bashkë me politikën e korruptuar, janë duke e zbrazur Kosovën!”, ka shkruar Latifi në llogarinë e tij.
Ky është shkrimi i plotë i tij:
Shpesh kemi dëgjuar sipërmarrës të ndryshëm që ankohen se nuk gjejnë punëtorë për shërbimet që ofrojnë bizneset e tyre. Në anën tjetër gjithandej flitet për shkallën e lartë papunësisë.
Si mund të kuptohet kjo situatë?
Pse ka një orientim të madh të punëkërkuesve drejt sektorit publik dhe pse shumë të punësuar në sektorin privat braktisin punën dhe ikin në Perëndim?
Ka një përgjigjje themelore për këto pyetje: punëtorët në sektorin privat në Kosovë, kryesisht trajtohen me standardet e kapitalizmit brutal të shekullit të XIX, që nga pagat e ulta, të cilat shpesh as nuk u jepen fare, e deri tek mungesa e çdo lloji mbrojtje në punë dhe shkelja e të drejtave themelore civile.
Ky kapitalizëm brutal, bashkë me politikën e korruptuar, janë duke e zbrazur Kosovën!























