Suedia mbështet Asociacionin e Komunave të Kosovës
Sot, Qeveria Suedeze përmes Ambasadës së Suedisë dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) vendosën themelet e një partneriteti të ri me qëllim përmirësimin e shërbimeve në nivel lokal.
Në këtë synim, është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit që kap vlerën prej 554.000 Euro, ku Suedia do të mbështet Asociacionin në zhvillimin e kapaciteteve të zyrtarëve lokalë përmes Qendrës së Trajnimit të AKK-së.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë nga Ambasadorja e Suedisë në Republikën e Kosovës znj. Karin Hernmack Ahliny dhe Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, z.Sazan Ibrahimi.
Marrëveshja e bashkëpunimit parasheh që përgjatë viteve 2019-2022, me mbështetjen e Suedisë, Asociacioni i Komunave të Kosovës do të zhvillojë kapacitetet e zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar politikë në komunat e saja anëtare.
Në këtë kuadër, mbështetja e Suedisë për Asociacionin e Komunave të Kosovës do të përqëndrohet sidomos në barazinë gjinore dhe mbrojtjen e ambientit.
Me këtë mbështetje, Qendra e Trajnimit të AKK-së synon të përmbushë misionin e saj duke siguruar ndërtimin e kapaciteteve për zyrtarët e zgjedhur lokalë, duke mundësuar shkëmbimin e përvojave në mes kolegëve nga komunat e ndryshme në Kosovë dhe duke krijuar një trashëgimi të transferimit të njohurive nga një në gjeneratë e zyrtarëve të zgjedhur në gjeneratën tjetër.























