OVL e UÇK-së proteston në mbrojtje të Tomor Morinës
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nesër nga ora 11:00 do të mbajë protestë në Gjakovë. Protesta do të mbahet për mbrojtjen e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Tomor Morinës, i cili gjendet në paraburgim në Maqedoninë e Veriut. Siç ka njoftuar OVL e UÇK-së, protesta do të mbahet në sheshin “Nënë Tereza”.
Jozyrtarisht është mësuar se ish-pjesëtari i UÇK-së, Tomor Morina, deri në fund të javës pritet të lirohet nga paraburgimi. Ministrja serbe e drejtësisë, Nela Kuburoviq ende s’ka dërguar dosjen në Shkup për ta mbështetur/faktuar urdhërarrestin ndërkombëtar për Morinën.
Avokati i Morinës, Naser Raufi ka thënë për TV21 se së shpejti pret që ta lirojë klientin e tij, por ai nuk ka folur për data. Ish-pjesëtari i UÇK-së, Tomor Morina është arrestuar javën e kaluar në pikën kufitare Bllacë, sipas një fletëarresti nga Interpoli.
Morina në Serbi kërkohet nën dyshimet se ka kryer krime lufte kundër civilëve serbë në Kosovë. Hetimin ndaj Morinës po e udhëheq Prokuroria serbe për Krime Lufte.























