AMK bëhet me dy laboratorë për kalibrimin e radarëve dhe alkoolmetrave
Agjencia për Metrologji e Kosovës (AMK) është bërë me dy laboratorë të ri, të cilët do të shërbejnë për kalibrimin e radarëve dhe alkoolmetrave.
Me rastin e përurimit të këtyre laboratorëve u tha se tashmë Policia e Kosovës tash e tutje do t’i kalibrojë pajisjet në institucionet shtetërore dhe se qytetarët do të jenë më të sigurt.
Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, deklaroi se kjo është edhe një dëshmi për punën që janë duke e bërë në mbrojtje të konsumatorit dhe ofrimit të sigurisë për qytetarët.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, tha se këta dy laboratorë janë të rëndësishëm pasi edhe kostoja do të jetë shumë më e lirë.
Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Metrologji e Kosovës Ferki Fejza, tha se këta laboratorë ndikojnë në punën e përditshme të policisë, dhe e rrisin besueshmërinë e matjeve edhe në konteste gjyqësore.























