Mungesa e kuorumit ka bërë që të dështojnë shumë seanca të Kuvendit
BKT
Lajme

Mungesa e kuorumit ka bërë që të dështojnë shumë seanca të Kuvendit

Bardha Shkreli, Radio Kosova

Gjatë këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka arritur të përmbushë agjendën legjislative vetëm 18 për qind. Aktualisht, 45 projektligje janë në procedurë. Të njëjtat, nëse nuk votohen në seancë, kthehen në pikën fillestare, përkatësisht, qeveria e ardhshme do të duhej t’i procedonte sërish. 

Programi legjislativ i Kuvendit të Kosovës për këtë vit, ka arritur të përmbushet vetëm 18%. Instituti Demokratik i Kosovës, gjatë monitorimit të punës së Kuvendit, ka identifikuar se nga 143 projektligje janë miratuar vetëm 27-të. Aktualisht, janë mbi 70 projektligje që presin të trajtohen,derisa në procedurë janë 45. Blerta Aliu, nga KDI, shpjegon më tej. 

“Nëse duam t’i kategorizojmë atëherë mund të themi se janë 71 projektligje në pritje që të trajtohen. Në procedurë janë 45 apo 31.47 % e agjendës dhe i bije që vetëm 18.88 janë miratuar. Nëse e shohim në bazë të sektorit del se 9 ligje janë miratuar nga sektori i financave,tri nga sektori i drejtësisë, tri në sektorin e arsimit,3 në kulturë, 2 në sport dhe 5 janë të tjera.” 

Sidoqoftë, nëse deputetët arrijnë të shpërbëjnë Kuvendin, të gjitha projektligjet, të cilat janë në komisione, apo kanë kaluar edhe leximin e dytë, por nuk janë votuar, kthehen në pikën fillestare. Këtë e zbërthen për Radio Kosovën, njohësi i rrethanave kushtetuese, profesor Mazllum Baraliu.

“Çdo ligj ose vendim i cili ka qenë në proces,me “Rregulloren e Punës së Kuvendit” siç parashihet, nuk ka marrë verdiktin apo  epilogun e duhur, në këtë rast edhe ligjet, nuk janë nënshkruar nga kryetari i kuvendit, më pas nga presidenti dhe janë shpallur në gazetën zyrtare , duhet të kthehen përsëri në proces që nga fillimi. Pra, do të duhej që qeveria e ardhshme  t’i rishikojë sepse nuk janë punë të përfunduara.

Legjislativi është kritikuar në vazhdimësi për mospjesëmarrje të deputetëve qoftë në seanca, qoftë në komisione. Mungesa e kuorumit ka bërë që të dështojnë shumë seanca e mbledhje të komisioneve parlamentare. Profesor Baraliu thotë se përmbushja e agjendës së legjislativit prej 18 % flet për performansë të dobët derisa kjo duhet t’ju shërbente edhe votuesve në zgjedhjet eventuale të vjeshtës. 

 


MË SHUME NGA Lajme