Presidenti i FIBA Evropës viziton Kosovën
Më 7 dhe 8 gusht, në Kosovë do të qëndrojë presidenti i FIBA Evropës, Turgay Demirel.
Ai vjen në Kosovë gjatë kohës kur mbahet Kampionati Evropian, Divizioni B, për femra U20, duke dëshmuar përkrahjen e tij për Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe basketbollin e Kosovës në përgjithësi. Vizita e Demirel-it tregon për përkrahjen e tij për punën që po bën FBK-ja me gjenerata të reja, përkatësisht organizimin e evropianit, derisa është hera e parë që një evropian i Divizionit B organizohet në Prishtinë. Kjo është hera e parë që Demirel viziton Kosovën si president i FIBA Evropës, derisa gjithmonë ka mbështetur basketbollin e Kosovës. Demirel përveç takimeve me krerët e FBK-së, ai do të ketë takime edhe me krerët e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe do të shohë nga afër ndeshjet e Kampionatit Evropian nga 3 deri më 11 gusht në Prishtinë. 12 kombëtare do të garojnë për trofeun e çmuar, derisa vashat e Kosovës U20 për herë të parë marrin pjesë në një ngjarje kaq madhore.























