Koalicionet parazgjedhore, s’mund të sjellin ndryshime të qeverisjes
Bajram Lani, Radio Kosova
Zgjedhjet e parakohshme mund të sjellin ndryshime të qeverisjes në vend. Por, sipas politologut Ramush Tahiri, kjo ndërlidhet shumë me atë se a do të bëjnë partitë koalicione parazgjedhore apo jo.
Në një bisedë për Radio Kosovën Tahiri thotë se koalicionet parazgjedhore po nxjerrin qeveri të marrëveshjes, me ministra që më shumë i nënshtrohen liderit dhe partisë.
Nëse partitë bëjnë koalicione parazgjedhore, nuk mund të ketë ndryshim të qeverisjes në vend, vlerëson politologu Ramush Tahiri, sipas të cilit, qeveri ndryshe do të ishte ajo e cila do të dilte nga zgjedhjet pa koalicione parazgjedhore. Në një bisedë për Radio Kosovën Tahiri tha se praktikat e deritashme kanë treguar se koalicionet parazgjedhore nuk janë të shëndetshme, ngase nxjerrin qeveri të marrëveshjes, sikur që është qeveria aktuale, ku siç thotë Tahiri, ministrat nuk kanë dinjitet shtetëror, por nënshtrim partiak.
“Nëse bëhen koalicione parazgjedhore dhe joparimore, sikur në zgjedhjet e kaluara në moment të fundit, atëherë Kosova sundohet ose mbahet prej oligarkisë, ose siç po thonë, kapet shteti dhe nuk ka ndryshime. Po ashtu nuk pritet që do të ketë ndonjë përparim të madh sa i përket demokracisë dhe zhvillimit të vendit”, tha Tahiri për Radio Kosovën.
Politologu Tahiri thotë se pas dorëheqjes së kryeministrit, Kosova ka hyrë në një krizë dhe po i tejkalon afatet ligjore dhe kushtetuese të daljes nga kjo krizë. Ai është kritik ndaj presidentit Thaçi që nuk po i thërret partitë politike në konsultim sipas radhës dhe sipas ligjit. Sipas Tahiri, presidenti e ka obligim ta thërrasë koalicionin PAN, si koalicion fitues i zgjedhjeve të vitit 2017, dhe ta konsumojë të drejtën kushtetuese për kandidatin tjetër. Nëse nuk kanë kandidat tjetër, duhet menjëherë t’i shpallë zgjedhjet. Sipas tij, kjo zgjatje e procesit, lidhet me interesa klanore.
“Fakti që ka interesa klanore ose klienteliste, flet që Kosova i ka hy reformës zgjedhore dhe nuk e ka bërë asnjë reformë dhe nuk ka arritur ta bëjë një votë një qytetar, por është një qytetar 5 vota, dhe me këtë, deputeti i përgjigjet liderit që e cakton më lart apo më poshtë në ranglistë, dhe i nënshtrohet partisë dhe jo qytetarit”, tha Tahiri.
Duke pasur parasysh edhe mungesën e reformës zgjedhore, Tahiri nuk pret të ketë ndryshim demokratik të institucioneve pas zgjedhjeve të mundshme, ngase thotë se me sistemin aktual, partitë e ruajnë strukturën lideriste dhe nuk janë të përfaqësuar regjionet, ndërsa deputetët do të vazhdojnë t’i përgjigjen liderit të partisë, e jo qytetarit i cili i voton ata.























