Fillon Kampionati Evropian për femra, Haradinaj iu uron suksese pjesëmarrë
Ka filluar Kampionati Evropian i Divizionit B për femra U20 në Prishtinë.
Ky kampionat do të zgjasë deri më 11 gusht, kur edhe do të mbahet ceremonia mbyllëse dhe finalja e madhe.
12 kombëtare do të luftojnë për trofeun e çmuar, derisa vashat e Kosovës U20 për herë të parë marrin pjesë në një garë të tillë.
Synimi i tyre është të fitojnë përvojë, derisa mosha mesatare në ekipin e Kosovës është 17 vjeç.
Në ceremoninë hapëse të këtij kampionati morri pjesë edhe kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, i cili u shpreh se ky organizim le të tregoj se Kosova mund të bëjë gjëra edhe më të mëdha.
"Jam i gëzuar që jemi këtu bashkë me hap kampionatin Evropian U20. Falënderoj Federatën e Basketbollit që ka marrë këtë guxim për këtë organizim. Dhe shpresoj që ky organizim të tregoi se ne mund të organizojmë gjëra edhe më të mëdha", tha Haradinaj.
Ndërkaq sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës tha se për FBK-në ky organizim është një privilegj i madh dhe se shpreson se gjithçka të shkoj si duhet deri në ditën e fundit atëherë kur edhe do të luhet finalja e madhe.
Është një privilegj i madh për Federatën e Basketbollit të Kosovës për të organizuar një ngjarje kaq të rëndësishme siç është FIBA U20 Kampionati Evropian, Divizioni B - femra. Është hera e parë që FBK organizon një Evropian të tillë në konkurrencën e femrave dhe kjo sa na bën përgjegjës na bën edhe shumë krenar sepse jemi të vendosur që të masovizojmë sportin e basketbollit por edhe të ngrisim cilësinë tek femrat" tha Dushku.
Më pas ajo ftoi Winfried Gintschel që në emër të FIBA-s ta hap edhe zyrtarisht këtë kampionat.
Vashat kosovare janë në grup me Turqinë dhe Rumaninë.
Takimet e para tanimë janë zhvilluar nga ora 16:30 në Palestrën “1 Tetori” dhe Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, kurse ndeshja e parë për Kosovën do të jetë pas pak ndaj Turqisë.
Çmimi i biletës për këtë kampionat do të jetë 1 euro (një euro), dhe kjo biletë do të jetë ditore, pra me një euro mund t’i shikoni të gjitha ndeshjet që zhvillohen gjatë ditës.
Kujtojmë që Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka vendosur më parë që të gjitha të hollat që do të grumbullohen nga shitja e biletave të FIBA U20 Kampionatit Evropian, Divizioni B - Femrat që do të organizohet në Prishtinë të jepen donacion për fëmijët e prekur nga sëmundja e fibrozës cistike.























