As Qeveria Haradinaj nuk i bëri sigurimet
Punëtorët e sektorit publik dhe privat të Kosovës ende vazhdojnë të punojnë pa sigurime shëndetësore. Nga të gjithë punëtorët që marrin paga nga buxheti i shtetit, për policët po konsiderohet mëse i domosdoshëm.
Shteti vazhdon të premtojë këtë sigurim dhe mbledhjen e premiumeve, por një gjë e tillë nuk po ndodhë. Pavarësisht se ekziston Ligji për Sigurimet Shëndetësore, implementimi i tij po shihet i pamundur për shkak të mungesës së buxhetit.
Nuk janë të pakta rastet, kur në krye të detyrës, policët e Kosovës lëndohen, 19 prej tyre edhe e kanë gjetur vdekjen. Policët po vazhdojnë të kryejnë operacione të rrezikshme, por shëndeti i tyre nuk po sigurohet. Derisa punojnë për sigurinë e vendit, për pjesëtarët e Policisë së Kosovës që nga paslufta sigurimet shëndetësore po konsiderohen të jenë një domosdoshmëri.
Për këtë, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli thotë për KosovaPress se kanë dërguar edhe shkresa drejtuar qeverive, ku kërkohet sigurimi i shëndetit të jetës për policët, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Tasholli kërkon që prioritet të jenë sigurimet shëndetësore, e jo rritjet e pagave.
Por, derisa sektori publik kërkon që ky ligj të implementohet, ai privat e kundërshton edhe ligjin aktual.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se ligji i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2014, ka shumë mangësi. Prandaj, kërkon që fillimisht të bëhet implementimi i plot i Marrëveshjes Kolektive dhe Ligjit të Punës, e pastaj të hyjë në sistemin e pagesave të këtyre premiumeve.
Kreu i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla thotë se të gjitha qeveritë e deritanishme kanë neglizhuar shumë procese. Ai thekson se edhe pas mbledhjes së premiumeve nuk do të jetë e sigurt se ku do të shkojnë ato para, derisa shton se sigurimi shëndetësor nuk do i konvenojë dikujt.
Thotë se si federatë kanë bërë presion që të mos politizohet kjo çështje, për çka sipas tij, është mirë të kthehet në problem nacional dhe të fillohet me mbledhjen e premiumeve.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtat e Njeriut, Behgjet Shala thotë se impelementimi i ligjit për sigurimet shëndetësore nuk mund të bëhet, për shkak të mungesës buxhetore.
Pavarësisht këtyre, ministri në largim Uran Ismaili zotohet se është duke u punuar në këtë aspekt.
E, anëtari i komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Naser Rugova duke kritikuar Qeverinë Haradinaj, thotë se ministri në largim, Uran Ismaili e ka pasur premtim të vazhdueshëm implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore.
Sipas tij, ky ligj duhet të ndryshohet.
I njëjti ka kërkuar që të sillet në Kuvend draftligji për plotësim-ndryshim, por thotë se edhe në këtë rast ky ligj nuk do të implementohet deri në vitin 2021.
Ministria e Shëndetësisë kishte planifikuar që të nis mbledhjen e premiumeve në janar të vitit 2017, në mënyrë që të nis ndërtimin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor, që në fund pritet të përdoret për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme të shëndetësisë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.























