Dedaj: Presim që shumë shpejt Tomor Morina të kthehet në Kosovë
Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë Veriore, Gjergj Dedaj, ka vizituar sot ish-ushtarin e UÇK-së Tomor Morina i cili ndodhet në paraburgim në burgun e Shutkës, pas arrestimit ditë më parë në bazë të një fletëarresti të lëshuar nga Serbia.
Përmes një postimi në Facebook, Dedaj ka bërë të ditur se Morina është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se pret që shumë shpejt të kthehet në familjen e tij dhe në Kosovë.
Shënimi i plotë i Dedajt në Facebook:
Nga vizita në burgun Shutka, të Tomor Morinës !
Falenderojmë institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, drejtorinë e burgut Shutka në Shkup, për trajtimin korrekt e miqësorë, për lejimin e vizitës sonë, ish ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina, i ndaluar kohë më parë, nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, në bazë të një fletëarresti ndërkombetarë të INTERPOLIT! Tomori ishte shumë mirë, i qetë, ndjehej plotësisht i pafajshëm, dinjitoz si dhe optimist, në pritje të lirimit, nga se drejtësia është në anën e tij dhe presim që shumë shpejtë, do të kthehet në familjen e tij dhe në Kosovë!























