Betohen 38 vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes në Kosovë
BKT
Lajme

Betohen 38 vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes në Kosovë

38 vullnetarë të rinj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pjesë e grupit të gjashtë të vullnetarëve të Korpusit të Paqes kanë përfunduar me sukses trajnimin dhe nga sot janë në shërbim të Korpusit të Paqes në Kosovë.

Të 38 vullnetarët janë betuar sot në një ceremoni në Prishtinë dhe do të shërbejnë për 24 muaj në komunat e Kosovës.

Në këtë ceremoni i pranishëm ka qenë edhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë Philip Kosnett, i cili duke iu drejtuar vullnetarëve tha se kanë punuar me shumë mund për t’u kualifikuar në këtë program.

Kosnett tregoi se djali i tij ka shërbyer si vullnetar në Filipine, dhe kishte jetuar në plazh. Kosnett u tha vullnetarëve se në Kosovë nuk ka det, por ka male të mrekullueshme.

I pranishëm ishte edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Tokologjisë  Shyqiri Bytyqi, i cili tha se Kosova është përherë mirënjohëse ndaj  ShBA-ve për kontributin që ka dhënë për popullin kosovar.

Kurse, drejtoresha e Korpusit të Paqes në Kosovë Darlene Grant, duke iu drejtuar vullnetarëve tha se ata po kontribuojnë këtu për ta bërë botën një vend më të mirë.

Ndërkaq, drejtoresha për program dhe trajnime Karen Scheuerer, tha se shërbimi i Korpusit të Paqes është një përvojë magjike e cila i hapë mundësi zemrës dhe mendjes për mundësi të reja.

Të 38 vullnetarët e rinj të ShBA-ve kanë përfunduar trajnimin e tyre 10 javësh për gjuhën, kulturën, si dhe trajnime teknike në Komunën e Kamenicës dhe në fshatrat përreth si Koretini, Topanica dhe Rogana.


MË SHUME NGA Lajme