Veseli flet rreth listës së PDK-së për deputetë
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë takimeve që pati sot me të rinjtë e partisë në Prishtinë, Drenas e Shtime, ka folur edhe rreth listës për deputetë, të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme, data e të cilave ende nuk është caktuar.
Në një postim në Facebook, i pari i PDK-së tha se reformat e ndërmarra nga ai brenda partisë u kanë dhënë hapësirë të rinjve të kenë role domethënëse, të cilat do të kenë impakt në Kosovë.
Ai po ashtu ka premtuar se edhe në listat për deputetë, do të shihet mbështetja dhe pesha e vërtetë që u jepet të rinjve në PDK.
Postimi i plotë:
Sot e kisha një ditë të shkëlqyeshme me aktivistët e rinj të PDK-së në degë të ndryshme. Reformat që kam ndërmarrë brenda partisë iu kanë dhënë hapësirën për të marrë role domethënëse në parti dhe për të pasur impakt në vend.
Unë premtoj se kur të dorëzojmë listën tonë të kandidatëve për deputetë, do ta shihni mbështetjen dhe peshën e vërtetë që po u japim të rinjve.
Reforma e partisë, lufta jonë kundër korrupsionit, politikat zhvillimore, janë mjetet kryesore për të garantuar për këta të rinj të çmuar një të ardhme të mundësive të barabarta në Kosovë.

























