Thirrje për solidaritet dhe respektim të gruas në festën e Kurban Bajramit
Në të gjitha xhamitë e Kosovës, si në tërë botën ku jetojnë myslimanët, po kremtohet “Bajrami i vogël” që ka nisur duke e falur namazin e Kurban Bajramit. Manifestimi qendror kushtuar festës së Kurban Bajramit për Kosovë u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ndërsa nisi me faljen e namazit të sabahut.
Pas namazit të sabahut, për besimtarët një ligjëratë tematike kushtuar kësaj feste u mbajt nga Dr. Sadat Islami, ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.
Namazit të Kurban Bajramit i priu Jakup Çunaku, drejtor i Medresesë "Alaudin" në Prishtinë.
Ndërsa mesazhin e kësaj feste, apo siç njihet në gjuhen fetare si hytbe, e mbajti zëvendëskryetari i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat ef. Mexhidi.
Në fjalën e tij, Mexhidi tha se porosia e Kurban Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e bujarisë dhe sakrificës. Sipas tij, Zoti nuk e do besimtarin e pasur që është koprrac.
Ai ftoi që pasuria të shpërndahet me ata që kanë nevojë, pasi sipas tij, solidariteti dhe ndihma është urdhër kurnaor dhe amanet i profetit Muhamed.
“Të gjithë ne duhet ta dimë se duke i dhënë të varfërve nuk pakëson pasurinë por Zoti do t’jua shtojë pasurinë”, tha ai.
Mexhidi bëri thirrje që njerëzit të jenë më solidarë e humanë, të toelrojnë dhë luftojnë urrejtjet dhe xhelozitë.
Po ashtu, një porosi e rëndësishme që u përcoll ishte edhe ajo për respektimin e femrës. Mexhidi tha se Allahu urdhëron që të gjithë duhet të sillen mirë me femrat dhe të drejtat e tyre të mos nëpërkëmben.
Gjatë fjalimit të tij, Mexhidi vuri theksin pikërisht te e drejta e gruas për pronën, që sipas tij, një gjë e tillë, gruas i është garantuar edhe me Kuran.
Mexhidi tha se festa e Kurban Bajramit, duhet të shërbejë si motivim për shoqërinë që të jenë sa më të kujdesshëm me gratë dhe me të respektueshëm.
Ai ka kërkuar nga institucionet që të zhvillojnë dhe të kultivojnë bashkëjetesën fetare, duke shtuar se Kosova është djep i të drejtës fetare.
“Me keqardhje më duhet ta them se liria fetare dhe të drejtat e femrës vazhdojnë të shkelen edhe në vendin tim në mënyra dhe forma të ndryshme, duke e privuar nga liria që i ka dhuruar Allahu xh.l. veçmas e drejta e saj për jetë të dinjitetshme, të lirë dhe jo e nëpërkëmbur nga burri apo shoqëria në asnjë segment të jetës. Ende vazhdon femra të jetë e privuar nga hisja e saj në pasurinë e babait, të cilën Kurani tash e 1400 vjet më parë ia garanton. Kurban Bajrami duhet të na shërbejë si një motivim shtesë, për të jetësuar këtë të drejtë të tyre”, tha Mexhidi.























