Veseli kujton Fatime Sokolin: Artistja që sfidoi normat patriarkale
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka kujtuar një artiste të vecantë e të rrallë të Kosovës. Bëhet fjalë për këngëtaren Fatime Sokolin, e cila sipas Veselit, ishte frymëzuese që i këndonte dhembjes dhe krenarisë kombëtare.
Në një postim në Facebook, Veseli ka shkruar se ajo brumosi, edukoi dhe mësoi rininë dhe popullinë e Kosovës me patriotizëm.
“Mbase për brezat e sotshëm të rinj nuk do të thotë shumë emri i Fatime Sokolit e cila vdiq me 12 gusht të vitit 1987, por për brezin tim ka qenë një nga këngëtaret më frymëzuese që i këndonte dhembjes dhe krenarisë kombëtare. Këngët e saja patriotike, sikurse shumë të tjera që dëgjoheshin në Radio Tirana apo Radio Kukësi. Kanë qenë një prej faktorëve kryesorë që e ngriti, brumosi, edukoi dhe mësoi rininë dhe popullin tonë me patriotizëm. Ajo ishte gjithashtu një model emancipimi feminist për Malësinë e Gjakovës dhe gjithë trojet shqiptare, sepse doli përtej normave patriarkale. Ajo tregoi se gruaja nuk ishte vetëm për të lindur, rritur dhe edukuar, fëmijë, për punët e shtëpisë dhe për t’iu nënshtruar pushtetit të burrit por shumë më tepër. Fatime Sokoli e sfidoi atë mentalitet duke shkëlqyer nëpër skenat brenda e jashtë vendit e duke iu kënduar heronjve të historisë, me dy telat e çiftelisë, më fuqishëm se shumica e rapsodëve të tjerë meshkuj”, ka shkruar Veseli.























