Presidentja e BE-së i shkruan letër-falënderimi Haradinajt
Ditë më parë, Ursula von der Leyen u zgjodh presidente e re e Bashkimit Evropian. Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj i kishte shkruar letër zyrtare duke e uruar znj. Leyen për detyrën e re. Përmes një njoftimi në facebook, Haradinaj ka njoftuar se ka pranuar letër-falënderimi nga presidentja e BE-së.
“I nderuar të pranoj letër-falënderim nga presidentja e Bashkimit Europian, Ursula von der Leyen, për urimin tim në zgjedhjen e saj në krye të BE-së. Përmes kësaj letre, presidentja e zgjedhur e Bashkimit Europian, riafirmon se Ballkani Perëndimor do të jetë ne fokus të Presidentes, dhe që bashkërisht ta ndërtojmë të ardhmen.
Siç e kam thënë në urimin tim, kam besim të plotë që Bashkimi Europian nën udhëheqjen e saj, do ta kthejë Kosovën në dinamikat e duhura integruese europiane. Ne mirëpresim qëndrimin e Znj. Von der Leyen, se ne kemi të përbashkët historinë dhe të ardhmen dhe ne jemi të gatshëm që së bashku t’i tejkalojmë sfidat.
Qendrimi ynë tashmë është i qartë: Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë pa kushte deri në arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe besoj që Bashkimi Europian do të reflektojë për shkaqet e devijimit të dialogut dhe do të intensifikojë përpjekjet në evitimin e temave, siç është shkëmbimi i territoreve e që shpiejnë në destabilizim e rajonit tonë” shkruan Haradinaj në facebook.
























