Veseli: Qeveria ime aleate e kompanive prodhuese që krijojnë vende pune
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se qeveria ime do të jetë aleate e çdo kompanie tjetër prodhuese që hap vende të reja pune dhe e mban rininë tonë në Kosovë
Ai të mërkurën ka qëndruar në Dragash, ku ka takuar ndërmarrës të kësaj komune.
Njoftimi i plotë:
Ndërmarrës e punëdhënës si Nuredin Bajrami janë heronjtë e vërtetë të heshtur të epokës së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Vizitova kompaninë e tij Hit Flores e cila është specializuar për grumbullimin, përpunimin, paketimin dhe eksportimin e produkteve bimore malore siç janë frutat, kërpudhat dhe bimët mjekësore. U gëzova shumë kur mësova që produktet e tyre cilësore konkurruese shiteshin pothuaj tërësish në tregjet e Bashkimit Evropian.
Përveç rreth 20 punëtorëve të përhershëm, kjo kompani punëson dhjetëra të tjerë gjatë sezonit të mbledhjes duke u shndërruar në një faktor të rëndësishëm të rritjes ekonomike për komunën e Dragashit. I tregova Nuredinit, se qeveria ime do të jetë aleate e Hit Flores dhe e çdo kompanie tjetër prodhuese që hap vende të reja pune dhe e mban rininë tonë në Kosovë.























