Novosti: Kuinti po shtyn Kosovën dhe Serbinë në NATO
Kumtesa e SHBA, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë fshehë kërkesën nga Beogradi të heqë dorë nga neutraliteti. Perëndimit po i ngutet ta rrumbullakojë ndikimin e tij. shkruan gazeta serbe “Novosti”.
Presionet ndaj Serbisë janë gjithnjë e më të ashpra që të heqë dorë nga politika e neutralitetit ushtarak dhe të vendoset nën ombrellën e NATO-s, dhe vërejtja e fundit për Beogradin është dhënë me kumtesën e vendeve të Kuintit mbi zgjidhjen e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, pretendon Novosti.
Pesëshja perëndimore ka kërkuar që Serbia të ndal lobimin për tërheqje të pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që të vazhdojë dialogun me Kosovën, e gjithë kjo me qëllim të arritjes së integrimeve të gjëra euroatlantike të dy shteteve.
Mirëpo, Beogradi përgjigjet se këto janë përpjekje të pashembullta dhe të papranueshme që “mbrojtja e interesave të tyre kombëtare në lidhje me Kosovën të përdoret si “monedhë” në lojën e futjes nëpër blloqe ushtarake”, shkruan gazeta.
“Derisa presidenti Vuçiq është në krye të Serbisë dhe derisa jam unë ministër i mbrojtjes, Serbia nuk do të hyjë në NATO dhe ne vet do të marrim vendime. Vet do të zgjedhim ku do të marrim armatim dhe pajisje. Në vend të kërkesës, vendet e Kuintit kishin mundur së paku të na shprehin ngushëllime tani kur po i përkujtojmë fëmijët e vrarë në Gorazhdec”, ka thënë ministri i mbrojtjes i Serbisë Aleksandar Vulin.
Ndërsa shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçit thotë: “Tani po bie se Kosova ka pasur të drejtë kur i ka futur taksat, për shkak se Serbia po e kryen fushatë për tërheqje të njohjeve. Ne do të vazhdojmë të lobojmë, sepse e kemi për qëllim që numri i vendeve të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës të bie nën gjysmën e numrit të anëtareve të Kombeve të Bashkuara. Dëshira e tyre është që Kosova të bëhet anëtare e të gjitha organizatave ndërkombëtare, por edhe që Serbia këtë ta përshëndesë”, çuditet Daçiq.
Për Dragomir Angjelkoviqin, analist serb politik, nuk ka dyshim se cilat janë qëllimet e të mëdhenjve:
“Hapi i parë i tyre është që ta fusin Kosovën në NATO, e që të ndodh kjo ajo duhet t’i ketë të definuara kufijtë dhe statusin ndërkombëtar dhe prandaj ata insistojnë në arritjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në fazën tjetër ata do të koncentrohen në Beograd. Serbia kurrqysh nuk guxon të lëshojë pe, jo për shkak të hyrjes së Kosovën në NATO, por për atë se Kosova është territori ynë dhe ne nuk guxojmë ta pranojmë asgjë në lidhje me këtë”./Insajderi.com.























