Edhe sivjet nuk pritet të ketë taksë për autostradat në Kosovë
BKT
Lajme

Edhe sivjet nuk pritet të ketë taksë për autostradat në Kosovë

Aplikimi i taksës në “Rrugën e Kombit” nga shteti shqiptar kishte ngjallur reagime të mëdha në Kosovë. Kostoja e papërballueshme, jo rrallë herë kishte shkaktuar pakënaqësi jo vetëm tek kosovarët, mirëpo edhe tek shtetasit e veriut të Shqipërisë.

Mirëpo, kosovarët së shpejti do të paguajnë biletë edhe për autostradat në territorin e Republikës së Kosovës.

Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga ministria e Infrastrukturës.

Megjithatë, zëvendësministri, Rexhep Kadriu thotë se aplikimi i taksës në autostradat e Kosovës nuk pritet të fillojë këtë vit.

Siç thotë ai, fillimisht duhet të kryhet studimi i fizibilitetit.

“Jemi duke punuar në studimin e fizibilieteti në vendosjen e biletave për pagesë të autostradave. Faktikisht nuk do të ndodh këtë vit, vitin e ardhshëm të shohim se deri ku po mbërrijmë në këtë situatë ta kryejmë studimin e fizibilitetit dhe me pa sa do të jetë kostoja”, thotë ai për lajmi.net.

Sidoqoftë, nga ministria e Infrastrukturës premtojnë se kostoja nuk do të jetë sa ajo e “Rrugës së Kombit”.

Sipas tyre, do të shkohet me kosto minimale për mbulimin e shpenzimeve të mirëmbajtjes.

“Kurrsesi nuk do të jetë sa e Rrugës së Kombit, ne do të shkojmë me kosto minimale sa të mbulojmë shpenzimet e mirëmbajtjes”, thotë Kadriu.

Taksa në “Rrugën e Kombit”, si efekt zingjiror ka shkaktuar edhe rritjen e çmimit të biletave të udhëtimeve nga Kosova në Shqipëri.

Lidhur me këtë, para disa ditësh ka reaguar edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.

Sipas tij një taksë e tillë është ndëshkim për kosovarët dhe si e tillë duhet të hiqet.


MË SHUME NGA Lajme