MKRS kërkon hapësirë për shtatoren e Vokrrit dhe statujën e Majlindës
BKT
Sport

MKRS kërkon hapësirë për shtatoren e Vokrrit dhe statujën e Majlindës

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka kërkuar sot nga kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti që të sigurohen dy lokacione, njëra për vendosjen e shtatores së legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrri dhe tjetra për vendosjen e statujës për kampionen me famë botërore Majlinda Kelmendi.

"Kam kërkuar nga kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti që të bëhet ndarja e një lokacioni të përshtatshëm afër stadiumit “Fadil Vokrri”, për të vendosur shtatoren e legjendës së futbollit Fadil Vokrri. Në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë ndër vite në fushën e sportit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe  Sportit ka vendosur që të ndërtojë shtatoren e Fadil Vokrrit”, tha ministri në detyrë, Kujtim Gashi. 

Po ashtu, ai kërkoi që të ndahet një lokacion i përshtatshëm për vendosjen e statujës së Majlinda Kelmendit.

“Duke marrë parasysh sukseset e xhudistes me famë botërore dhe fituese e medaljes së artë në Lojërat Olimpike, si dhe fituese e shumë kampionateve dhe garave ndërkombëtare, Federata Botërore e Xhudos ka vendosur për ta nderuar me ngritjen e një statuje në Prishtinë”, tha ai.