Drita dhe Gjilani synojnë ta nisin me këmbën e mbarë kampionatin
IPKO Superliga e Kosovës luan pasditen e sotme tre ndeshjet e tjera që do të kompletojnë javën e parë.
Në orën 17:00 në Gjilan, Drita pret Ferizajn në një ndeshje ku vendasit janë dukshëm të favorizuar. Intelektualët kanë bërë një merkato të studiuar mirë dhe afrimi më i fundit ishte ai i Ardian Cuculit që erdhi nga Kukësi. Objektivi i Dritës në këtë sezon është të renditet në 3 vendet e para të kampionatit ose të paktën të triumfojë në Kupë për t’u kualifikuar në kompeticionet europiane.
Me vëmendje të madhe pritet edhe debutimi në këtë sezon të ri i Gjilanit që ka ndryshuar një skuadër të tërë por ka mbajtur në stol trajnerin Gentian Mezani. Shumë emra të ardhur nga Kategoria Superiore ku spikasin Progni, Busic e Shameti. Gjilani sot do të luajë në Mitrovicë ndaj Trepça ’89 që kërkon të ringrihet pas një sezoni të vështirë. Edhe Gjilani ka mision të jetë pjesë e Kupave të Europës sezonin e ardhshëm.
Ndeshja tjetër që do të mbyllë javën e parë është ajo mes Dukagjinit që këtë vit është ngjitur në Superligë dhe Ballkanit që siguroi qëndrimin mes më të mirëve. /SS/























