Tridhjetë shfrytëzues të kioskave rrezikohen të mbesin pa punë
BKT
Lajme

Tridhjetë shfrytëzues të kioskave rrezikohen të mbesin pa punë

Ardiana Hajzeri

Rreth tridhjetë shfrytëzues të kioskave në Prishtinë po përballen me rrezikun e humbjes së vendeve të punës, pasi që  komuna ka shpallur ankand publik  për dhënien në shfrytëzim të kioskave në kryeqytet.

Ata thonë se kriteret e vendosura nga komuna janë të paarritshme dhe favorizojnë bizneset e mëdha. Ndërkohë një grup i asamblistëve komunalë kanë mbledhur nënshkrimet me kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, e cila mbahet të hënën. Ata kërkojnë që procesi të kthehet në pikën zero.

Kryetari i Shoqatës se Kioskave në Prishtinë, Sadudin Hasani, tha për Radio Kosovën se pas heqjes se kriterit për qarkullim vjetor prej 5 milionësh, janë vendosur kritere të tjera që po ashtu janë të pa përballueshme për ne. Kriteri për ndarjen e kioskave në tri grupe nga dymbëdhjetë  kioska  tregon hapur se është favorizim për bizneset e mëdha, tha Hasani.

 “ Kriteri për të pasur dymbëdhjetë kioska në pronësi dhe duhet t’i kemi të hollat për një vit për rregullimin e tyre dhe për të paguar qiranë që është në ankand. Kjo është shumë e rëndë për neve. Edhe në konkursin e parë edhe të dytin po favorizohen bizneset e mëdha. Edhe tjetra, edhe nëse bëhemi bashkë të dymbëdhjetit dhe aplikojmë përsëri, kjo është e papërshtatshme për neve se një me ndodh mu largu, ne nuk mund ta paguajmë qiranë e tyre.”

Ndërsa, asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, i cili ka marrë iniciativën për një seance të jashtëzakonshme në lidhje me këtë, tha për Radio Kosovën se kriteret e përcaktuara nga komuna janë bërë për interesin e  bizneseve të mëdha, dhe nëse kjo ndodh, pronarët e këtyre kioskave do të shndërrohen në raste sociale.

 “ Të gjithë po e shohim që ideja e kësaj është që këto prona të jenë në destinim të dy tri bizneseve të mëdha të vendit. Mirëpo, fatkeqësia e kësaj çështjeje është se nga ky pazar që komuna  e ka bërë me disa biznese dhe në rast se kjo do të ndodhte këto familje do të mbesin pa të ardhura dhe do të shndërrohen në raste sociale.”  

E në lidhje me këtë çështje zëdhënësja e Komunës se Prishtinës, Miranda Mullafzliu, në një përgjigjeje për Radio Kosovën theksoi se oferta është publike dhe se pritet vendimi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal që do të mbahet ditën e hënë.

Rreth tridhjetë  familje për rreth 20 vite kanë mbijetuar nga këto kioska. Kriteret e vendosura nga komuna po i rrezikojnë ato të mbesin pa të ardhura me cilat e  kanë siguruar ekzistencën


MË SHUME NGA Lajme