Veseli: Do të angazhohem për të luftuar rastet e korrupsionit
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se sensibilizimi i gjendjes së civilëve në mbarë botën dhe përkujtimi e nderimi i kontributit të punëtorëve humanitarë, duhet të jetë pjesë e angazhimit të përditshëm.
Ai ka folur kështu sot kur shënohet Dita Botërore Humanitare.
"Si kryeministër i ardhshëm do të angazhohem më shumë, jo vetëm për të luftuar dhe parandaluar rastet e korrupsionit, por edhe për ta promovuar edhe më shumë misionin e tyre fisnik dhe humanitar", ka shkruar Veseli në Facebook.
Postimi i plotë:
Sot shënojmë Ditën Botërore Humanitare. Sensibilizimi i gjendjes së civilëve në mbarë botën dhe përkujtimi e nderimi i kontributit të punëtorëve humanitarë, që shpesh rrezikojnë edhe jetën për t'iu gjendur pranë njerëzve në nevojë, duhet të jetë pjesë e angazhimit tonë të përditshëm.
Por, sot, vëmendje më të veçantë kanë punëtorët e shëndetësisë, të cilët bëjnë punë të pazëvendësueshme humanitare për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.
Paralelisht me rritjen e pagave në sektorin e shëndetësisë, sistemi ynë shëndetësor duhet të mbështetet mbi moral dhe etikë. Si kryeministër i ardhshëm do të angazhohem më shumë, jo vetëm për të luftuar dhe parandaluar rastet e korrupsionit, por edhe për ta promovuar edhe më shumë misionin e tyre fisnik dhe humanitar.























