Analistët: Subjektet politike, të shtyra të krijojnë koalicione
Bardha Shkreli
Subjektet politike janë të shtyra të krijojnë koalicione për shkak të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje të vitit 2014-të, thonë njohësit e rrethanave politike. Pavarësisht asaj se kush mund të dal fitues në zgjedhjet e jashtëzakonshme, Qeveria e ardhshme duhet të jetë më stabile, dhe kjo do të varet nga presioni ndërkombëtar.
Koalicioni i mundshëm parazgjedhor në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes mund t’i nxjerr fituese këto dy subjekte në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Kështu e sheh situatën, njohësi i rrethanave politike Arton Demhasaj. Por, sipas tij ka pak gjasa të ndodh, për shkak të mospajtimeve që kanë për postin e kryeministrit.
“Të shohim se çfarë po ndodh në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së, nëse këto të dyja arrijnë të tejkalojnë dallimet që i kanë, pa dyshim ato mund të jenë bartëse të qeverisë së ardhshme, por gjasat janë minimale që kjo të ndodh pikërisht për shkak se nuk po arrijnë të tejkalojnë dallimet që i kanë sidomos, për pozitën e kryeministrit. Por derisa nuk i kemi të gjitha koalicionet, të gjitha partitë të rreshtuara njëra me tjetrën, është problem edhe me prit se çfarë do të ndodh me zgjedhje, se kush do të jetë fitues apo kush do të merr më shumë vota”, shtoi ai.
Demahasaj thotë se subjektet politike janë të shtyra të bëjnë koalicione për shkak të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014-të për këtë çështje.
Koalicioni AAK-PSD pretendon të del i pari, dhe pastaj të fus edhe partitë tjera për krijimin e Qeverisë së ardhshme. Por, pavarësisht se kush do të dal fitues në zgjedhjet e jashtëzakonshme, qeveria e ardhshme do të përballet me presion ndërkombëtar. Analisti Artan Muhaxhiri thotë se zgjedhjet duhet të nxjerrin një Qeveri më stabile. Por kjo do të varet edhe nga presioni ndërkombëtar.
“Pritet që ndërkombëtarët të bëjnë presion shumë të madh në fituesin e zgjedhjeve në mënyrë që të bëhet një qeveri stabile, e cila do të mund t’ju qëndroj disa proceseve, siç është vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe përfundimi i këtij procesi mjaft të rëndësishëm”, tha ai.
Muhaxhiri pret që zgjedhjet të prodhojnë një Qeveri pragmatike, e cila do të merr parasysh kërkesat ndërkombëtare, heqjen e taksës dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë. Kjo më pas do të përjashtonte partitë të cilat bazën e kanë në populizëm.























